Dhunë në një familje në Prishtinë: 21-vjeçari sulmon fizikisht motrën e tij, përfundon në Polici
Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen çdo ditë e më shumë në vendin tonë. Zakonisht viktima janë gratë të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga familjarët e tyre. E të shpeshta janë rastet kur në konflikte përfshihen vëllezërit e motrat, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në fshatin Bardhosh të Prishtinës, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht motrën e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 19-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka rrëfyer gjithë ngjarjen në detaje.
Njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.