Dhunë në një familje në Kaçanik: Burri e bën për spital bashkëshorten, përfundon në Polici

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Kaçanik, ku një person dyshohet se e ka rrahur bashkëshorten e tij.

Sinjali mëson se si pasojë e dhunës së përjetuar, gruaja ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke e denoncuar atë që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari i ka shkaktuar lëndime trupore gruas, për çka ajo mori trajtim mjekësor.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Meteorologët tregojnë çfarë moti do të mbajë sot dhe nesër