Dhunë në një familje në Gjylekar të Vitisë: I riu rrah nënën, gruan dhe motrën, Prokurori e liron

Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga burrat, djemtë, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur të martën në Gjylekar të Vitisë, ku një i ri ka sulmuar vajzat dhe gratë e familjes, por është liruar nga Prokurori i Shtetit.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes, kur i dyshuari E.R., fillimisht ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, e më pas ndaj motrës, si dhe në fund ka rrahur edhe bashkëshorten e tij.

Sinjali mëson se gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje mes tyre, që eskaloi nga dhuna psikike në dhunë fizike, për çka viktimat u detyruan që të kërkojnë ndihmën e Policisë, duke e raportuar rastin.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin, ndërsa nëna dhe motra e tij janë dërguar në strehimore.

Ndaj të riut që po dyshohet për dhunë në familje, Prokurori nuk ka urdhëruar masën e ndalimit policor, por vetëm inicimin e rastit dhe lirimin e të dyshuarit për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Rastet e tilla kur burrat e dyshuar për dhunë ndaj vajzave dhe grave lirohen nuk janë të rralla dhe shpesh ka ngritur debat në opinion se organet e rendit nuk po bëjnë mjaftueshëm për këtë dukuri shqetësuese, që është kthyer në tragjedi për shumë familje.

 

Lexo edhe:  Raportohet se Njësia Speciale është nisur drejtë Veriut