Dhunë në një familje në Gjakovë / Burri rrah brutalisht gruan dhe vajzën e tij

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje në fshatin Pejtërshan në Gjakovë, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tij.

Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka dhënë detaje për dhunën që ka përjetuar nga burri i saj, që e sulmoi brutalisht atë dhe vajzën, duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Për motive ende të panjohura, në gjendje të dehur, i dyshuari i ka goditur me grushte gruan e vajzën, madje njërën derisa e ka rrëzuar përtokë. Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur të kërkojë ndihmë nga Policia duke e raportuar rastin.

Denoncimi i viktimës ka aktivizuar Policinë, me ç’rast kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Lexo edhe:  Shqipëria gjobitet sërish nga UEFA për ngjarjet në ‘Euro 2024’