Dhuna në veri, Qeveria e Kosovës akuzoi Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”

Qeveria e Kosovës ka akuzuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste” në veri të vendit, prej ku u plagosën dhjetëra pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë përleshjeve me protestuesit në komunën veriore të Zveçanit.

“Grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe ato pro-Kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë jo-serbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”, tha Qeveria përmes një komunikate për media pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Qeveria tha se në këtë takim me ambasadorët u diskutua për situatën në veri të vendit, si dhe u pajtua që me ta të vazhdohet të mbahet komunikim i dendur gjatë orëve dhe ditëve në vijim.

“Shkas dhe temë kryesore e takimit ishin zhvillimet e fundit në veri të vendit, sidomos veprimet e dhunshme dhe kriminale të protestuesve ekstremistë ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe pjesëtarëve të medieve”, thuhet në komunikatë.

Sipas Qeverisë, në këtë takim kryeministri theksoi rëndësinë dhe nevojën për shtensionimin e situatës, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar me shtetet e QUINT-in drejt këtij qëllimi.

Edhe ambasadorët e QUINT-it në Kosovë e kanë dënuar dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve, teksa kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës.

KFOR-i ka bërë të ditur se rreth 25 ushtarë të tyre janë lënduar nga përleshjet e së hënës para ndërtesës së Komunës së Zveçanit.

Gjithashtu, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se një makinë e një ekipi medial është djegur në Zubin Potok, teksa në veri të Kosovës janë regjistruar edhe disa tentim-sulme dhe vandalizime të makinave të ekipeve të gazetarëve.

Lexo edhe:  Rikthehet moti i ligë, shi e shkarkime rrufesh gjatë fundjavës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar pesë persona të dyshuar për sulmet dhe dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në komunën e Zveçanit.

Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës, raporton rel.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.