Detaje të reja nga aksidenti tragjik në rrugën Prishtinë–Gjilan, ku humbi jetën një grua pas përplasjes së dy veturave
Një aksident i rëndë komunikacioni me pasoja fatale ka ndodhur pasditen e së enjtes në rrugën Prishtinë-Gjilan, saktësisht tek penda e Livoçit, ku janë përfshirë dy automjete. Si pasojë e përplasjes, disa persona kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa një grua e moshuar ka ndërruar jetë në QKUK.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, aksidenti ka ndodhur më 17 korrik 2025, rreth orës 16:00, kur automjeti i tipit Audi 80, me drejtues Hafiz Sermaxhaj rreth 57-vjeçar, duke mos respektuar anën e djathtë të lëvizjes në drejtim të Gjilanit, ka kaluar në korsinë e majtë dhe është përplasur me veturën tjetër, tip VW Golf, që drejtohej nga Basri Uruqi rreth 63-vjeçar dhe po vinte në drejtim të kundërt, për në Prishtinë.
Si pasojë e përplasjes, lëndime trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve, si dhe dy pasagjerë: Fatime Sermaxhaj rreth 86-vjeçare – pasagjere në veturën Audi dhe Besnik Uruqi – pasagjer në veturën Golf. Të lënduarit fillimisht janë dërguar në Qendrën Emergjente të Gjilanit, ndërsa më pas Hafiz Sermaxhaj dhe Fatime Sermaxhaj janë transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK.
Fatkeqësisht, mëngjesin e së premtes, më 18 korrik, rreth orës 03:10, autoritetet janë njoftuar nga QKUK se Fatime Sermaxhaj nuk u ka mbijetuar plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Lidhur me rastin, është njoftuar prokurorja e shtetit Kujtesa Fazliu, e cila ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion në IML dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.