Detaje për operacionin kundër fajdes: Rreth 84 mijë euro dhe 20 vetura u konfiskuan gjatë bastisjeve në auto sallone

Operacioni policor kundër fajdes i zhvilluar sot në disa qytete të vendit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda rezultoi me arrestimin e 14 personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale. Arrestimi i tyre erdhi pas kontrolleve dhe bastisjeve që u kryen në rreth 10 biznese, si dhe mbi 20 shtëpi e objekte të tjera.

Gazeta Sinjali publikoi pak më parë listën me emrat e personave të arrestuar, ndërsa tashmë ka mësuar detaje se çka u konfiskua.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gjatë kontrolleve që janë kryer në të gjitha lokacionet janë konfiskuar rreth 20vetura, rreth 8 armë e dhjetëra fishekë, shufra e prova të tjera, që do të shfrytëzohen si dëshmi. Sinjali mëson se gjatë këtij aksioni janë konfiskuar edhe rreth 84 mijë euro para të gatshme.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku, pas përfundimit të këtij aksioni ka bërë me dije për Sinjalin se bastisjet janë kryer në gjithsej 8 auto sallonet, emrat e disa prej të cilave Sinjali i ka zbuluar gjatë ditës.

Auto sallonet “Iliri, “Besa” dhe “Lipjani”, janë vetëm disa nga këto biznese në të cilat zbarkuan sot njësitë e Policisë, ku u konfiskuan edhe vetura luksoze, që kapin vlerën e miliona eurove.

Burimet e Sinjalit thonë se disa prej të arrestuarve janë edhe pronarë të këtyre bizneseve, por jo të gjithë janë kapur në bizneset e tyre, prandaj janë kryer kontrolle edhe në disa shtëpi, lokale e zyre të ndryshme.

Bastisjet janë zhvilluar në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrrisë, Lipjanit dhe Vitisë, njoftoi Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Të dyshuarit që u kapën dyshohen për veprat penale të fajde, detyrimit dhe Shmangies nga tatimi.

Lexo edhe:  Nënshkruhet ujdia: Kosova fiton mbi 200 milionë dollarë nga MCC-ja

“Të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar  në kohëzgjatje prej 48 orësh, për për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 328 par.2 të KPRK-së

Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: para, vetura, armë dhe dokumente të ndryshme.​”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.