Detaje nga grabitja në shitoren ‘Albi’ në Prishtinë, i dyshuari iku me një veturë me targa të huaja

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë grabitjet e vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, raporton Gazeta Sinjali.

Një grabitje ka ndodhur edhe mbrëmë në shitoren ‘Albi’ në rrugën ‘Ndue Përlleshi’ në Prishtinë, ku një person i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës ka arritur që të vjedh një shumë të konsiderueshme parash dhe cigare.

Sipas Policisë, bëhet fjalë për rreth 1 mijë euro para të gatshme që ndodheshin në arkën e shitores dhe vlera e cigareve që u vodhën është rreth 500 euro.

Ankuesja femër kosovare ka informuar se për derisa ishte në vendin e punës, një person i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës i kishte grabitur rreth 1000€ para të arkës dhe cigare me vlerë rreth 500 €. Rasti është duke u hetuar”, thanë nga Policia.

Ndërkohë Sinjali ka mësuar detaje shtëse lidhur me rastin, ku sipas informacioneve, personi i dyshuar është arratisur nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa të huaja.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që çojnë në identifikimin e të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  Mundësi punësimi, hapen afër 200 vende të reja të punës në Mitrovicë