Deshën ta shesin me dokumente false pronën e një serbi në Fushë Kosovë, arrestohen tre persona

Rastet kur përmes dokumenteve të falsifikuara, persona të ndryshëm tentojnë që të përvetësojnë të mira materiale, nuk janë të rralla. E kjo përbën vepër penale dhe sanksionohet me ligj sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Për një rast që ka ndodhur në Lipjan, Prokuroria ka nisur hetimet.

Pesë persona kanë përfunduar në pranga dje pasi dyshohet se janë përfshirë në një rast të falsifikimit të dokumenteve për shitblerjen e një prone në fshatin Bresje të Fushë Kosovës.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se prona e cila ka një sipërfaqe rreth 50 ari, është në pronësinë e një qytetari serb, por që u tentua që përmes dokumenteve false të bëhet një autorizim për shitjen e saj.

Pasi dokumentet që prezantuan te noteri dolën të jenë false, dy të dyshuarit janë shoqëruar menjëherë në stacion policor ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë.

Lidhur me rastin janë intervistuar edhe tre persona tjerë të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprën penale ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe katër nga ta janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri prej tyre do të hetohet në liri.

Sipas KPRK-së, “kushdo që përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal ose me dije përdor dokumentin e falsifikuar apo të ndryshuar si origjinal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër (4) vjet”.

Lexo edhe:  Ka ndërmend të bëjë marrëzi gjatë spektaklit, Luizi paralajmëron Kiarën: Mos reago