Deputetja Geci ofendon Thaçin në lidhje me komunikatën 59, Glauk Konjufca ia tërheq vërejtjen

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Marigona Geci, njohur ndryshe edhe si vajza e Gani Gecit në seancën e sotme plenare ka folur në lidhje me diskutimet e fundit të bëra në Speciale, për komunikatën e njohur si “komunikata 59”.

Në këtë rast është diskutuar për Gani Gecin, e për të cilën nga Prokuroria Speciale u tha se është dëshmuar që e ka shkruar Hashim Thaçi.

Në fjalën e saj, deputetja Geci tha se këtë komunikatë Thaçi ia ka lexuar Rexhep Selimit, përmes një thirrje telefonike satelitore.

“Kur Rexhep Selimi e kishte pyetur Thaçin se pse e ka përfshirë të pavërtetën për Gani Gecin se kishte udhëhequr masakrat serbe, Thaçi ishte përgjigjur ‘në mënyrë që ta shkatërrojë plotësisht’”, u shpreh ajo.

Ajo shkoi edhe më tutje duke thënë se Thaci ka tentuar të “shkatërrojë” familjen Geci.

“Mbajeni mend të gjithë ju se familjen time dhe babain tim nuk ka munduar ta shkatërrojë UDB e Millosheviqit, e jo më Hashim Haxhi ‘Polari’ prej Buroje”,tha deputetja Geci.

Pas kësaj ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Kujdes fjalorin parlamentar të nderuar deputetë, kur t’iu referoheni figurave publike”, ka thënë Konjufca, pas fjalës së deputetes së LDK-së.

Lexo edhe:  Sot i jepet lamtumira e fundit 56-vjeçarit i cili u gjet me shenja dhune e njolla gjaku dje në Mitrovicë