Deputeti i VV-së që votoi kundër mbështetjes financiare për ish-krerët e UÇK-së në Hagë: U dhanë 36 milionë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Faton Geci, dje ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj dyfishimit të mbështetjes financiare për katërshen e ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se ata nuk mund të konsiderohen si themelues të shtetit.

“Ata nuk janë themelues të shtetit. Siç tha deputeti Tahiri, meqenëse është në përfundim, nuk konsideroj se është e arsyeshme të vazhdojmë për mbrojtje të tyre”, deklaroi Geci gjatë seancës parlamentare.

Ndërkaq, më vonë, në një postim në Facebook, ai ka sqaruar arsyetimin e vendimit të tij.

“Si anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, votova kundër kërkesës për ndarjen e 8 milionë eurove për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë. Përveç meje, kundër votuan edhe dy deputetë të LVV-së. Vota ime ishte shumë e rëndësishme.

Arsyetimi im ishte i qartë: deri më sot, për mbrojtjen e tyre janë shpenzuar rreth 36 milionë euro nga buxheti ynë. Ky proces është drejt përfundimit dhe shteti ynë i ka përkrahur mjaftueshëm financiarisht. Vendimi final do të shpallet së shpejti, atëherë pse të jepen prapë mjete”, shkroi Geci.

Lexo edhe:  Babai e zbulon se djali 15-vjeçar ishte hajni që vodhi arin në vlerë të 10 mijë €, paratë i bëri ‘rrush e kumbulla’