Dënohet shtetasi kosovar në Zvicër, vodhi piktura të Picassos e i shiti për 150 euro

Dy burra grabitën në tetor të vitit 2020 një pensionist në Weinfeld TG të Zvicrës. Ata vodhën dy piktura të vërteta të Pablo Picassos.

E lidhën pensionistin 80-vjeçar para se të kryenin vjedhjen. Vodhën gjëra me vlerë totale 75 mijë franga zvicerane, përfshirë dy piktura të piktorit të famshëm Pablo Picasso, vlera e të cilave në treg sillet rreth 50 mijë franga.

Një nga grabitësit u arrestua dhe tash duhet të përgjigjet para Gjykatës së Qarkut në Weinfeld, shkruan “St. Galler Blatt”.

37-vjeçari me shtetësi të dyfishtë kosovare dhe serbe, mund të dënohet përmes gjurmëve që la. Pasi ai ishte kapur nga Policia në vitin 2021 gjatë një vjedhje tjetër.

Pikturat e Picassos nuk janë gjetur deri më tash. Se ku janë, 37-vjeçari ka thënë se nuk e di. Ai ka treguar se u shitën me çmim të ulët në treg në Thurgau.

“Ishin false, i kam shitur në treg për 150 euro”, ka thënë kosovari në gjykatë.

Ai ka thënë se ishte një vjedhje e planifikuar. Ai duke u përgjigjur në sallën e gjyqit, po përpiqej të mbante lotët.

Ai tregon se kishte humbur gjithçka duke luajtur poker. Thotë se nuk donte t’i bënte asgjë të moshuarit të cilin e grabiti. Tregon se një ditë pas grabitjes, ishte ndalur pranë shtëpisë për të parë nëse i moshuari ka mundur të lirohet.

Për këtë arsye edhe avokati i kosovarit ka kërkuar një dënim me kusht. Por, gjykata i ka parë gjërat ndryshe. Ka dënuar kosovarin me katër vjet e gjysmë burg. Pos kësaj, ai duhet të largohet nga Zvicra për dhjetë vjet. Po ashtu duhet të paguajë edhe shpenzimet e gjyqit dhe një dëmshpërblim prej 25.680 franga për gjërat e vjedhura.

Lexo edhe:  Musliu: Albin Kurti do ta ketë mbështetjen tonë në raport me Serbinë