Dënohen me 15 vjet burgim dy të akuzuarit për aksidentin tragjik ku humbi jetën ish-kadeti i Policisë

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur sot aktgjykim dënues duke dënuar me 15 vite burgim dy të akuzuarit Arton dhe Nezir Duraku, pasi të njëjtit pranuan fajësinë se në një aksident trafiku shkaktuan vdekjen e ish-kadetit të Policisë së Kosovës, Flordian Shabaj, 30-vjeçar.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Arton Duraku, për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” u dënua me 10 vite burgim, ndërsa për “Mosdhënie të ndihmës” me 3 vite burgim. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik prej 10 vite burgim.

Kurse, i akuzuari Nezir Duraku për veprën penale “Mosdhënia ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut”, u dënua me 5 vite burgim, raporton Betimi për drejtësi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 mars 2023, nga Prokuroria Themelore e Pejës, thuhet se i pandehuri Arton Duraku, më 21 nëntor 2022, në fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, duke shkel ligjin mbi trafikun publik i shkakton vdekjen, tani të ndjerit F.Sh.

Sipas aktakuzës, derisa i pandehuri, pa patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderaj – Klinë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundër qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri F.Sh., ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin “Opel” në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë.

Sipas akuzës, me këtë thuhet se i pandehuri Arton Duraku ka kryer vepër penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 par. 5 lidhur me par. 1 te KPRK-së.

Lexo edhe:  Disa qytetarë bllokohen në njërën nga lojërat në “Prishtina Park”, intervenojnë zjarrfikësit

Ndërkaq, tutje në aktakuzë thuhet se, në vendin dhe kohën e lartcekur, i pandehuri Arton, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është lënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës F.Sh, ku pas aksidentit të përshkruar, ai e ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.

Dhe me këtë thuhet se i pandehuri ka Arton Duraku ka kryer edhe vepër penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” nga neni 374 par. 3 të KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurin Nezir Duraku, aktakuza e ngarkonte se në ngjarjen e përshkruar si më lart nuk i ofron ndihmë personit tjetër, jeta e të cilit është ndodhur në rrezik të drejtpërdrejt edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madhë për vete apo tjetrin.

Tutje, thuhet se pasi i pandehuri Arton Duraku, shkakton aksidentin e trafikut me kamion ku i pandehuri Nezir ishte pasagjer në të, dalin nga kamioni, afrohen afër viktime, por nuk i ofrojnë ndihme dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.

Me këtë rast thuhet se i pandehuri Nezir Duraku ka kryer vepër penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188 par.4 i KPRK-së.