Dalin pamjet e vrasjes dhe plagosjeve në Bon Vivant, kështu ndodhi ngjarja
Në vendin ku rëndom të rinjtë mblidhen për t’u dëfryer, në orët e vona të së premtes në kryeqytet gjeti vdekjen një 39-vjeçar dhe u plagosën disa të tjerë.
Kastriot Ramadani pësoi lëndime vdekjeprurëse si pasojë e të shtënave me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant”, pas një përleshjeje mes dy grupeve.
Të plagosur mbetën edhe gjashtë të tjerë, ndërsa 13 pësuan lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo gjësendet tjera.
Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK) kishte njoftuar se pesë persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore në Klinikën Emergjente.
Portali “Jepi zë” ka arritur të sigurojë nga organet e drejtësisë videon e vrasjes në lokalin e njohur Bon Vivant.
Aty ka pamje të rënda, të cilat “Jepi zë” i ka hijezuar dhe nuk ka lejuar të duken fytyrat.
“Jepi zë” duke parë raportime dhe interpretime të ndryshme dhe për të mos lënë të keqinterpretohet, ka vendosur se publikimi i videos që tregon si ndodhi rasti, është interes publik.
Ndryshe, rasti i së premtes në “Bon Vivant” është cilësuar nga autoritetet si ‘Vrasje të rëndë’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’.