Daçiqit i dhemb flamuri “Autochthonous” në Tetovë: Pse s’po reagon askush për këtë

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka reaguar pas valëvitjes së flamurit të “Autochthonous” në Tetovë gjatë tubimit të kryeministrit Albin Kurti atje.

Daçiqi, gjatë forumit “Bled 2023” që po mbahet në Slloveni, tha se “kur Prishtina hap ambasadë në Jerusalem, kjo është normale apo nuk e thoni këtë, apo kur valëviten flamuj të ‘Shqipërisë së Madhe’ në Tetovë është normale, apo askush nuk duhet të japë shpjegim për këtë”.

“Unë e respektoj këtë, por nga gjashtë përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, katër janë shqiptarë. Tirana, Prishtina, Osmani nga Maqedonia e Veriut dhe Dritan Abazoviqi nga Mali i Zi, ndërsa ju flisni për ndikimin e Serbisë në Ballkanin Perëndimor”, tha Daçiqi, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai vazhdoi viktimizimin duke thënë se nga Bashkimi Evropian më mirë është të thuhet se “Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE”.

“Na thoni se çka saktë duhet të bëjmë. Kam qenë në këtë storien e integrimeve evropiane, 100 herë e kam dëgjuar këtë. ‘Rrëzojeni Millosheviqin’, mirë, e rrëzojmë. ‘Arrestojeni Millosheviqin’, mirë, u arrestua. ‘Arrestojeni Karagjiqin’, mirë. Kosova dhe Bashkimi Evropian janë dy rrugë të ndryshme. Thjesht na tregoni se çka duhet të bëjmë? Edhe Shqipëria i ka 100% në pajtim standardet me BE-në por më mirë të thuhet se Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE”, tha ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq. /Klankosova.tv

Lexo edhe:  Vrasja e Liridona Murselit, prindërit e Naim Murselit kthehen në Suedi pas anulimit të së pames