Çmimet e banesave pritet të rriten sërish, ja sa do të shtrenjtohen

Çmimet në sektorin e patundshmërisë gjatë vitit 2023 kanë shënuar rritje, e cila pritet të përcillet edhe gjatë këtij viti. Kështu vlerëson një agjencion në vend që merret me patundshmëri, i cili thotë se nuk pritet të ketë ulje të çmimit. Por, të njëjtin mendim nuk e ndan edhe Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës. Sipas tyre, deri më tani nuk ka ndonjë indikator që mund të ndikojë në rritjen e çmimeve.

Pronari i një agjencie për patundshmëri në vend, i cili merret me patundshmëri, qiradhënie dhe shitblerje, Dukagjin Avdyli thotë për KosovaPress se edhe vitin që shkoi kishte rritje të çmimeve, ndërsa shprehet se rritje do të këtë edhe gjatë këtij viti, për shkak se trendi është në rritje.

Avdyli thotë se në rritjen e çmimeve kanë ndikuar faktorë të ndryshëm, ku një ndër to është edhe rritja e pagave të fuqisë punëtore në ndërtim.

“Nëse e marrim historikisht në kohështrirje prej 10-12 që përcjelli unë, gjithmonë çmimet kanë shkuar duke u shtrenjtuar. Mirëpo, prej pandemisë dhe pasluftës në Ukrainë, çmimet janë rrit në mënyrë drastike. Shembull rreth vitit 2013 në Fushë Kosovë ka qenë çmimi rreth 450 euro për metër katror, në 2020 kanë filluar të rriten mbi 500 euro, pastaj lufta në Ukrainë i ka quar çmimet në 600 euro, ndërsa sivjet ka shkuar çmimi në 700 euro deri në 800 euro për metër katror në Fushë Kosovë. Kjo për shkak se çmimet janë rritur në çdo sferë të jetës, por edhe për shkak të punëtorëve. Nëse një punëtor më herët ka marrë 600 euro rrogë, sot e merr 800 deri në 1 mijë në ndërtim, po ashtu edhe materialet ndërtimore të gjitha… Por, sërish Fushë Kosova është prej vendeve më të lira në Kosovë për çmimet e patundshmërive”, thekson ai.

Lexo edhe:  Ia kishin sjellë “shpirtin në fyt” pompave me grabitje, këta janë 7 kosovarët e arrestuar për grabitje të armatosura

Sipas tij, edhe këtë vit pritet të ketë rritje të çmimeve në patundshmëri.

“Ka pasur punë, është njëfarë pune konstante, normalisht çmimi është rritur. Blerje ka pasur, por mendoj që sërish ka me pas edhe përkundër asaj që është një frikë që do të ikin njerëzit… (Çmimet) janë duke u rritur dhe do të rriten ende. Mendoj se nw vitin 2024 nuk do të ketë nën 800 euro metër katror, ndoshta shkon edhe më shumë, për shkak se trendi është në rritje, edhe në Prishtinë janë rrit shumë”, thotë ai.

Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Faton Hoxha thotë se për fat të mirë në vitin që lamë pas, nuk ka pasur shtrenjtim të çmimeve në patundshmëri, porse shton se ka pasur leje më pak të lëshuara për ndërtim.

“Rritja e madhe ka ndodhë në vitin 2022 për shkak të rrethanave botërore, jo tek ne, vitin 2023 nuk ka ndonjë indikacion të rritjes së mëtutjeshme, aty-aty janë çmimet nëpër lagje të ndryshme. Por, për fat të mirë sivjet nuk pas edhe ndonjë shtrenjtim të dukshëm të materialeve ndërtimore. Përkundër kemi pas një zbritje të çmimit të hekurit, përndryshe materialet tjera janë në nivelin si në vitin 2022. Ndërtimi sivjet, ka pas më pak leje të lëshuara në krahasim me vitet e mëparshme, mirëpo nëse ka pas kërkesë më pak nuk e kam si informacion. Te ne nuk e determinon çmimin e banesës, vetëm çmimi materialeve, mirëpo kostoja e tokës që është në rritje në vazhdimësi dhe normalisht krahu i punës në dy vitet e fundit është rrit dhe po shkon duke u rritur, sidomos me këtë friken tash se do të migrojnë gjithë”, thotë Hoxha.

Lexo edhe:  Ngjarja tragjike për familjen Abazaj nga Klina, nisin hetimet për vdekjen e futbollistit 19-vjeçar

I pyetur nëse pritet të ketë rritje të çmimeve në këtë drejtim këtë vit, ai thotë se deri më tani nuk ka ndonjë indikacion që mund të ketë rritje.

“Nuk ka ndonjë indikacion që do të rriten, mirëpo duhet me pa qysh lëvizin kur të fillojë sezoni i ndërtimit mes shkurtit, si do të jenë çmimet e materialeve, kostot e tokave e kështu, varet prej rrethanave”, shton Hoxha.

Se çmimet e banesave dhe të qirasë janë shtrenjtë në krahasim me standardin e vendit, e thonë edhe qytetarët.

Qytetari, Hasim Ademi thotë se çmimet e banesave janë mjaft të larta, porse askush nuk merret me rregullimin e çmimit të tyre.

“Çdoherë janë të larta çmimet nëse bëjmë krahasim me rrogat, çdo artikull është shtrenjtë për ne… Por, askush nuk shikon për këtë punë, veç kush të ka mundësi merr e shet”, thotë Ademi.

Edhe qytetari, Jakup Zogaj vlerëson se çmimet e patundshmërive janë mjaft të larta.

“Kundër të ardhurave janë shumë shtrenjtë, shumë madje…edhe qirasë janë shtrenjtë, i njëjti sistem është”, thotë Zogaj.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për tre mujorin e dytë 2023 sektori i patundshmërisë mbulon 60.0 për qind e përgjithshme të Investimeve të Huaja Direkte apo 110.6 milionë euro për periudhën prill-qershor 2023.