Çmime të reja të derivateve të hënën, pa ndërhyrjen e qeverisë

Çmimi i derivateve të naftës ka rënë për një cent, krahasuar me një ditë më parë, ka bërë të ditur Fadil Berjani, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës (ShNK).

Derivati i dizelit të hënën ka filluar të shitet për 1.68 euro, ndërsa derivati i benzinës po shitet me çmim prej 1.53 euro, raporton Paparaci.

E hëna e kësaj jave shënon herën e parë pas një muaji që çmimet e derivateve kanë rifilluar të përcaktohen nga vet tregtarët, pa ndërhyrjen e Qeverisë së Kosovës.

Për një muaj me radhë, bazuar në një udhëzim administrativ të Ministrisë së Tregtisë, çmimet e derivateve janë përcaktuar çdo ditë nga qeveria.

Përfundimin e kësaj epoke e ka mirëpritur kreu i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, i cili ka thënë për Paparacin se udhëzimi administrativ i ka sjell pikat e karburanteve “buzë falimentimit”.

“Të gjitha pikat me pakicë kanë punuar me humbje. Ka raste kur benzina është shitur me 10 cent me humbje”, ka thënë Berjani të hënën. “Kosova është treg i hapur dhe liberal jemi shteti ma i vogël në botë me ma së shumti pika karburantesh”.

Nga sot e tutje, ai ka thënë se çmimet e derivateve në Kosovë do të përcaktohen nga berza ndërkombëtare dhe se “duhet të respektohet çmimi në berzë”.

Ai ka deklaruar se tash e një javë ka një trend të rënies së çmimeve të derivateve në berzën ndërkombëtare, dhe sipas tij, ky trend ka reflektuar edhe në çmimet e vendosura nga tregtarët e naftës në Kosovë

Lexo edhe:  Nis largimi i barrikadave edhe në Mitrovicën e Veriut