Cili shtet prishi sot punë për vizat?
Republika çeke, e cila aktualisht drejton Presidencën e BE-së, ka propozuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhej me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS, siç kërkoi Franca, por njëherësh të caktohej edhe data e fuqizimit të vendimit: “jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023”.
Ndërsa, sot ka skaduar afati i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që me të “procedurë të heshtur”, t’i paraqesin vërejtjet e tyre në propozimin e Çekisë për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Duke u thirrur në burimet diplomatike në Bruksel, Radio Evropa e Lirë , raporton se “së paku dy shtete” e ndërprenë këtë procedurë dhe penguan që propozimi të marrë dritën e gjelbër.
Sipas këtij raportimi, Spanja ishte ajo që paraqiti vërejtje, ndërsa disa shtete tjera kërkuan më shumë sqarime.
Në dy muajt e fundit, janë mbajtur dy mbledhje të Grupit Punues për Vizat në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian. Nga këto takime, nuk ka pasur ndonjë rezultat.