Burri rrah pamëshirshëm bashkëshorten e tij në Gjakovë, e bën për spital
Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në fshatin Osek Hile të Gjakovës.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një 41-vjeçare e cila ka deklaruar se bashkëshorti i saj e ka sulmuar fizikisht.
Sipas dëshmisë së viktimës, i dyshuari ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj duke e goditur me grushte në trup dhe si pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore. Për shkak të lëndimeve të marra nga dhuna e përjetuar, gruaja ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Më pas është intervistuar nga hetuesit policorë, ku ka deklaruar se dëshiron që të shkojë dhe të jetojë në shtëpinë e prindërve të saj.
Ndërkohë njësitë policore janë vënë menjëherë në lëvizje, me ç’rast kanë arritur që ta arrestojnë personin e dyshuar.
38-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.