Burri nga Prishtina kërcënon bashkëshorten, përfundon në ndalim policor

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.

Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gruaja ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u përballë me kanosje nga burri i saj, i cili po dyshohet se për motive akoma të panjohura e ka kërcënuar teksa ishin bashkë në veturë.

Si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku është përballur me denoncimin kundër tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të njëjtit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.

 

Lexo edhe:  Hajni me maskë e armë trishton punëtorët e një marketi në Mitrovicë