Burri nga Klina i raporton të zhdukura bashkëshorten dhe dy vajzat, thotë se shkuan në Tiranë
Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar edhe një burrë në Klinë, i cili ka raportuar se nuk di gjë për fatin e bashkëshortes së tij dhe dy vajzave të mitura.
Sinjali mëson se 39-vjeçari ka deklaruar që bashkëshortja bashkë me dy vajzat e vogla të shtunën e 2 marsit kanë shkuar në Tiranë dhe që nga ajo kohë nuk ka arritur që të kontaktojë me to.
Denoncimi i burrit ka aktivizuar njësitet policore, me ç’rast është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të nisin hetimet për gjetjen e viktimave dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.