Burri në Pejë ia ndalon gruas takimin me familje dhe fitness-in, ajo tenton të largohet – e ndalojnë fëmijët

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Pejë, ku raportohet se një grua tash e disa muaj me radhë ka përjetuar dhunë psikike nga bashkëshorti i saj.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima (rreth 42-vjeç) ka deklaruar në Polici se është e martuar tash e 20 vjet dhe prej rreth pesë muajsh, burri i saj (rreth 50-vjeç) ushtron dhunë psikike ndaj saj, duke ia ndaluar takimet me familjarët dhe aktivitetet si fitnesi.

Sipas saj, mëngjesin e së martës, ajo ka telefonuar vëllain e saj në Gjermani dhe i ka treguar se nuk mund ta durojë më këtë situatë.

Pasi burri e ka dëgjuar bisedën, i ka thënë: “Mundesh me dal prej banesës tash që e thirre vëllain tënd”.

Gruaja ka thënë se ka tentuar të bëjë gati valixhet për t’u larguar, por fëmijët nuk e kanë lejuar.

Më pas, i dyshuari i ka kërkuar falje gruas së tij dhe i ka premtuar se nuk do të ndodhë më. Viktima, pas intervistimit, është kthyer në banesë.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të iniciohet rasti si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Lexo edhe:  Aksident te Rruga B, njëra prej veturave me targa të huaja