Burri në Obiliq e kërcënon me armë bashkëshorten e tij, përfundon në ndalim policor

Vajzat dhe gratë vazhdojnë të mbeten viktimat më të shpeshta të dhunës në familje. Bashkëshortët dhe anëtarët tjerë të familjes në shumë raste ushtrojnë dhunë sistematike në mënyra të ndryshme ndaj tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Në Polici kanë përfunduar mbrëmë edhe një çift në Obiliq, pasi burri dyshohet se ka kërcënuar bashkëshorten e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 34-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se pas një konflikti me bashkëshortin e saj, ai e ka kërcënuar me armë zjarri.

Si rezultat i denoncimit, Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku ka gjetur dhe sekuestruar armë zjarri. Ndërkohë 40-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Mitrovicasi e akuzon nipin se vodhi në shtëpinë e tij dhe e kërcënon: Do ta paguash me jetë