Burri në Drenas rrah gruan me tëhollues, ajo e denoncon në Polici

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familje, është shndërruar në një rutinë të pandashme. Si pasojë e dhunës nga bashkëshortët e tyre, shumë gra kosovare marrin lëndime trupore për çka iu duhet që detyrimisht të kërkojnë ndihmë mjekësore në spital.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundi edhe një grua në Drenas, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se 35-vjeçarja ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen, duke thënë e gjithçka ka ndodhur pas një konflikti verbal.

I dyshuari më pas kishte eskaluar në dhunë fizike ndaj viktimës, duke e goditur atë me tëhollues që përdoret për përgatitjen e ushqimit në kuzhinë. Viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë në spital, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 36-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Eksperti i sigurisë: Autorët e vrasjes së Liridonës u kapën pasi policia vendosi kamera të fshehta te vendi i krimit