Burri 40-vjeçar kërcënon ish-bashkëshorten, përfundon në pranga të Policisë së Kosovës

Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe.

Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që ka ndodhur dje në fshatin Gllarevë të Klinës, Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një 40-vjeçar përmes mesazheve zanore të dërguara në rrjete sociale, ka sharë dhe kërcënuar ish bashkëshorten e tij.

Për të mos mbaruar me kaq, mëngjesin e djeshëm i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e viktimës dhe të njëjtës ia kishte kërkuar disa kartela bankare dhe telefonin mobil.

E frikësuar dhe e shqetësuar nga veprimet e ish-bashkëshortit, 35-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, gjë që ka bërë që një njësi policore të dalë në vendin e ngjarjes dhe ta arrestojë në flagrancë të dyshuarin.

Pas përfundimit të procedurave në Polici, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe ai të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Kanosje’ dhe ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  “Mirë po ec”, një nga viktimat e vetaksidentit publikonte pamje duke vozitur me shpejtësi marramendëse dhe rrezikonte të tjerët!