Bosch: Serbët kanë bërë gjëra shumë më të tmerrshme se shqiptarët, por s’po dënohen
Diplomati holandez thotë se në kohën kur u themelua Gjykata Speciale, nuk ka mundur të dalë kundër saj, por thotë se jozyrtarisht njerëzve u ka thënë se nuk pajtohet me të.
“Në atë kohë është dashur të mbrojë atë, por me njerëzit që kam folur jozyrtarisht, kam thënë se nuk pajtohem me të. Dhe arsyeja ishte… unë nuk besoj asnjëherë në trafikim të organeve, sepse serbët kanë bërë akuza të tilla në Bosnje, dhe kjo ishte diçka e stisur pra pa asnjë provë. Njëjtë edhe këtu”, ka theksuar Robert Bosch, ish-ambasador në Kosovë, raporton Klankosova.tv.
Në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai tha serbët kanë bërë krime shumë më shumë se shqiptarët, dhe ata nuk po ndiqen penalisht.
“Por, nëse krijon një gjykatë të tillë që ndjek vetëm shqiptarët e jo edhe serbët, seee… mund të thuash se serbët janë dënuar në vendin e tyre.. ashtu? Por sa janë dënuar? Zero! Zero! Tani serbët rrinë anash ndërkohë që kanë bërë gjëra shumë më të tmerrshme se shqiptarët”, u shpreh diplomati holandez.
Sipas tij, presioni për themelimin e Speciales ishte shumë i madh sepse, siç thotë ai, akuzat ishin për trafikim të organeve. Por thotë se, “kur kjo akuzë u zhduk, pse duhet të vazhdosh”?
“Në atë kohë kam folur me Thaçin, e kam vizituar edhe këtu. Para se të gjithash, mendoj se akuzat këtu që UÇK-ja ishte organizatë kriminale janë shumë të rënda, sepse isha i përfshirë 1999 në Ministrinë e Jashtme…”, shprehet ish-ambasadori Bosch. /Klankosova.tv