Borrell telefonon Kurtin e Vuçiqin, kërkon të kthehet qetësia në Veri dhe të lirohen pelegrinët

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka telefonuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas sulmeve në veri të vendit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku kurse i plagosur polici Alban Rashiti. “Pas sulmit të tmerrshëm dhe frikacak terrorist të sotëm kundër policëve të Policisë së Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli me kryeministrin Albin Kurti”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga shërbimi i jashtëm i BE-së. Ai dënoi ashpër agresionin e sotëm. Përfaqësuesi i Lartë Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të dashurit e punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe u uroi shërim të shpejtë punonjësve të policisë të plagosur. Përfaqësuesi i Lartë ka telefonuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet në njoftimin e BE-së. “Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit”, thuhet në njoftim. BE tha se EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, po monitoron situatën në terren dhe është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e tij dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s. “Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet”.
Lexo edhe:  Vazhdon tmerri nga 2 eurot false, klienti i BKT-së deponon mbi 600 euro të falsifikuara