Biznesmeni i arrestuar për ngacmim seksual të dy punëtoreve 

Biznesmeni i arrestuar për ngacmim seksual, Besnik Krasniqi, pronar i “Etna Group” ka shpëtuar nga çfarëdo mase e sigurisë. Prokurori i Shtetit e ka lënë të lirë me arsyetimin se nuk janë përmbushur kushtet ligjore.

Ndaj Krasniqit, pas arrestimit është lëshuar urdhri për ndalim policor, por brenda afatit 48 orësh nuk është kërkuar as masa e paraburgimit e as ndonjë masë alternative.

Lirimin e tij e kanë konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Lidhur me këtë çështje, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Ngacmimi seksual”, sipas KPRK-së dhe njëheri ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarit, në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Prokurori i Shtetit, duke pasur parasysh se në këtë fazë ka siguruar prova të mjaftueshme, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për të ushtruar kërkesë për caktimin e ndonjë mase ndaj të dyshuarit, prandaj rasti do të vazhdojë të trajtohet konform dispozitave të KPPRK-së.”

Viktimat ishin motra mes vete. Edhe pse Prokuroria ka vlerësuar se nuk ekzistojnë kushtet për paraburgim, viktimat kanë dorëzuar prova, që i cilesojnë të mjaftueshme dhe që provojnë dyshimin për ngacmim.

Dyshimet për ngacmime seksuale, denoncim ky me të cilin u përball ditën kur u shoqërua në stacion, Krasniqi i ka mohuar kategorikisht para hetuesve policorë.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Krasniqi është lënë i lirë – por megjithatë ndaj tij është bërë edhe një denoncim tjetër, për veprën penale “Kanosje”.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vjet.”

Lexo edhe:  Ky është zyrtarisht personi më i pasur në botë, kaq është pasuria e tij