Biznesmeni i arratisur pas denoncimit për dhunë në familje mohon se është pronar i Shell-it

Pronari i pompës së derivateve ‘Shell Kosova’, multimilioneri Lulzim Kryeziu, dita ditës po e pasuron dosjen e tij penale.

Dhuna në familje është vepra që dyshohet se e ka kryer disa herë, por për të cilën nuk është dënuar asnjëherë me burgim. Madje pas rastit të fundit për të cilin është denoncuar, ai po qëndron në arrati, prandaj është shpallur në kërkim. Gazeta Sinjali ka kontaktuar vet Kryeziun, për të marrë versionin e tij, por i njëjti brenda pak minutash ndryshoi qëndrim, herë duke u deklaruar në vetën e parë e herë në të tretën.

Kryeziu është denoncuar të dielën në Polici nga bashkëshortja dhe djali i tij, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, për shkak të frikës dhe rrezikut që po iu kanoset nga burri/babai i tyre. Rasti ka ndodhur në shtëpinë e përbashkët të çiftit në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, ku viktimat u detyruan të largohen, ndërsa i dyshuari u arratis.

Sinjali mëson se biznesmeni Kryeziu është larguar nga Kosova, me qëllimin që të shpëtojë nga prangat e Policisë.

Nga arratia, në bisedën që i dyshuari ka pasur me redaksinë e Sinjalit, fillimisht është deklaruar se nuk është pronar i Shell-it, e më pas indirekt e ka pranuar rastin. Ai ka thënë se avokati i tij e ka pasur në plan ta kontaktojë Gazetën Sinjali, duke iu referuar lajmeve të publikuara.

Kryeziu e ka mohuar se ndodhet në arrati, ndërsa ka treguar për biznesin tjetër të tij, “Royal Trade Company”, duke ikur nga pyetja për denoncimin kundër tij, për dhunë në familje.

“Pershendetje luli nuk eshtë pronar i shell gabim e keni.

“Firma ime eshtë Royal trade company. Mir kish qen me vertetu ju mas pari pronar i ciles firm jam e me qen ma profesional. Edhe nuk jam ne arrati mundeni me bisedu me Avokatin tim se ka pas mju thirr edhe pam shkru ju ju faleminderit! Royal Trade Company Shpk ,Vragoli Fushkosovë.”, ka shkruar Kryeziu.

Lexo edhe:  Lajm i hidhur: Vdes foshnja një muajshe në Skënderaj

I shpallur në kërkim e i futur në telashe me shtetin, Kryeziu tentoi t’ua japë një këshillë gazetarëve të Sinjalit, për diçka që vërtetohet shumë lehtë në Arbk.

“Pronart e shell jan mbretinia Anglis dhe Holandes lexoni pak”.

E në fund, biznesmeni tentoi të ‘luajë’ ndryshe, duke u prezantuar si dikush tjetër që nuk ka të bëjë fare me “Lulin”, i cili është vet ai.

“Kend pe kerkoni, prejë kahit eshtë ky qe pe kerkoni”.

Kryeziu është pronar edhe në kompaninë AL-Petrol SHPK, ku drejtor është vëllai i tij, ndërsa ai ka 36% të aksioneve.

Për çka dyshohet Lulzim Kryeziu?

Pa u bërë as gjysmë viti prej kur përfundoi në Polici ai është futur sërish në telashe me ligjin. Për dallim prej herës së fundit që u dorëzua vet në Polici, ai këtë herë ka zgjedhur të arratiset, që të shpëtojë nga duart e shtetit.

Sipas informacioneve të para që posedon Sinjali, bashkëshortja e të dyshuarit dhe djali i saj, të dielën kanë rrëfyer në Polici se për shkak të dhunës psikike që biznesmeni Kryeziu ka ushtruar ndaj tyre, ata janë detyruar ta lëshojnë shtëpinë dhe të kërkojnë strehë te familjarët e tyre.

Kjo është hera e tretë që ai është denoncuar në Polici, nën dyshimet për dhunë në familje. Dora e organeve të rendit ka qenë e ‘butë’ ndaj tij, pasi i njëjti është lënë i lirë dhe nuk është caktuar fare masa e paraburgimit në rastin që ka ndodhur në muajin nëntor