Bie në prangat e Policisë i riu me të kaluar kriminale, kërkohej për mashtrim, vjedhje e ngacmim
Aksioni i zhvilluar nga Policia e Kosovës, të mërkurën në mbrëmje në Fushë Kosovë, rezultoi me arrestimin e një personi të kërkuar me disa urdhëresa aktive të lëshuara nga gjykata. I riu me të kaluar kriminale përfundoi në ndalim dhe rasti tashmë është konfirmuar.
Personi që ra në prangat e Policisë kërkohej në bazë të katër urdhëresave të Gjykatës Themelore në Prishtinë për katër raste në të cilat ishte i përfshirë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i arrestuari është Leorand Rexhaj, rreth 29-vjeçar – emër i njohur për organet e rendit.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se ndaj Rexhajt ishin lëshuar urdhër arrestet për veprat ’Mashtrim’, ‘Ngacmim’, ‘Vjedhje’ dhe ‘Kanosje’.
Njësia policore ka arritur ta kap të dyshuarin në një villë në Fushë Kosovë, ku u kap në flagrancë edhe me drogë – përkatësisht me një sasi të marihuanës.
Provat e gjetura janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku janë kryer procedurat e nevojshme.
Lidhur me rastin e drogës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetimi – ndërsa i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.