Bie në pranga i dyshuari për therjen e 16-vjeçarit në Prishtinë

Telashet mes të rinjve janë të shpeshta në vendin tonë. E në shumë raste, situata eskalon edhe në kërcënime e përleshje fizike. Madje shpeshherë përpos grushteve, gjatë rrahjeve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe tragjikisht. Një rast i tillë kishte ndodhur pak net më parë në Prishtinë, ku një person ka mbetur i therur me thikë.

Fillimisht i dyshuari ishte arratisur dhe nuk dihej asgjë për vendndodhjen e tij, mirëpo Sinjali mëson se pas veprimeve hetimore është arritur që ai të arrestohet.

Burimet njoftojnë se 17-vjeçari i dyshuar është paraqitur në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Ndryshe, natën kritike viktima ishte dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për ndihmë mjekësore. I njëjti është hospitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor nën përkujdesjen e stafit shëndetësor.

Lexo edhe:  Gjuhet me armë Policia në Zubin Potok, arrestohen 4 serbë dhe 1 shqiptar