Bie në pranga dilleri në Prishtinë, Policia i gjeti në banesë drogë në vlerë të mbi 7 mijë eurove

Njësia nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë ka kryer dje bastisje në banesën e një qytetari, pasi i njëjti dyshohej se po merrej me shitblerje të substancave narkotike në qytetin e Prishtinës.

Përmes një komunikate për media, Policia njofton se gjatë bastisjes ështe gjetur dhe sekuestruar drogë në vlerë të mbi 7 mijë eurove, para të gatshme, telefona celularë e një peshore për matjen e narkotikëvë.

“Hetuesit policorë kanë ndaluar të dyshuarin B.M.,(mashkull kosovar, viti i lindjes 1996), dhe gjatë kontrollit në trup fillimisht i janë gjetur 3 qese të vogla të dyshuar si substancë narkotike të llojit kokainë me peshë 1.5 gramë. Njësia e Forenzikës Regjionale në Prishtinë, pas disa kontrolleve në banesën e tij, si prova materiale kanë gjetur dhe konfiskuar:

27 qese të vogla të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 13 gramë,
3 qese të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 62.9 gramë,
Një peshore digjitale e cila ka shërbyer për matjen e narkotikeve në sasi të vogla,
Një qese e dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 0.2 gramë, e gjetur
në veturën e të dyshuarit,
Dy telefona celularë,
Para të gatshme me vlerë prej 1545 eurosh ( Njëmijë e pesëqind e dyzet e pesë euro ).
Sasia e substancave narkotike e konfiskuar është 77.6 gramë e që në vlerë parash konsiderohet të jetë 7760 (shtatë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë €uro)”, thuhet në njoftim.

27-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin. Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.

Lexo edhe:  Clinton tregon historinë me kamarierin nga Kosova: Mu ul në gjunjë, më tha “falë teje familja ime është gjallë”