Besimtarët e Vushtrrisë solidarizohen me Fahri Ademin – mbi 5600 euro ndihmë nga xhematet e xhamive
Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri i është bashkuar nismës për ndihmë ndaj bashkëqytetarit Fahri Ademi, i cili u plagos rëndë gjatë kryerjes së detyrës si sigurim fizik në një qendër tregtare në Prishtinë.
Përmes një urdhërese të lëshuar nga KBI – Vushtrri, të gjitha xhamitë e qytetit organizuan mbledhjen e ndihmave materiale gjatë ditës së xhuma. Aksioni u prit me përkrahje të gjerë nga ana e besimtarëve, të cilët grumbulluan gjithsej 5603.25 euro për të ndihmuar rastin e rëndë të Fahriut.
Në njoftimin e bërë publik, kryetari i KBI-së, Dr. Ejup Haziri, ka falënderuar të gjithë ata që kontribuan në këtë aksion human, duke e lutur Allahun për shërimin e shpejtë dhe të plotë të Fahriut.
“Ky akt solidariteti dëshmon edhe një herë forcën e bashkësisë sonë dhe gatishmërinë për të qenë pranë njëri-tjetrit në momentet më të vështira,” thuhet në njoftim.
Fahri Ademi aktualisht ndodhet në trajtim mjekësor, ndërsa përkrahja nga qytetarët vazhdon përmes formave të ndryshme.