Bekim Brestovci në konflikt të thellë të interesit, mban kundërligjshëm pozita menaxheriale në kompani private

Bekim Brestovci, Drejtori i Shërbimeve Publike dhe njëkohësisht Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, është shembulli klasik i një konflikti të pastër interesi, ashtu siç përkufizohet në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Brestovci, përveç dy pozitave publike që ushtron njëkohësisht në Komunën e Prishtinës, ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit se është aktivisht i angazhuar si menaxher edhe në disa kompani private, disa prej tyre brenda territorit të Kosovës dhe të tjerat jashtë saj, konkretisht në Gjermani.

Në deklarimin e tij të pasurisë, Brestovci ka pranuar se është drejtor në kompaninë gjermane B&D Verwaltungsgesellschaft mbH, drejtor në VEB Facility Management SH.P.K në Prishtinë dhe EPC SH.P.K në Lipjan, ndërsa në V&R Verwaltungsgesellschaft mbH në Gjermani është deklaruar si anëtar bordi, njësoj si në BIMET LLC në Prishtinë.

 

Përveç kësaj, ai ka deklaruar edhe katër kompani të tjera ku mban aksione si bashkëpronar.

Por, konflikti i interesit mund të mos përfundojë këtu. Brestovci vetë ka shkruar në deklarim se aktualisht është “drejtor në dy drejtori komunale: Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Drejtorinë e Inspeksionit. Megjithatë, pagën e marr vetëm nga Drejtoria e Inspeksionit”, ka thënë ai.

Ky kombinim pozicionesh, si menaxher në sektorin publik e njëkohësisht në sektorin privat, bie ndesh direkt me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i cili thekson qartë se:

“Konflikti i interesit është një situatë në të cilën një zyrtar publik ka një interes privat, i cili ndikon në paanshmërinë e tij ose të saj dhe kryerjen objektive të detyrave zyrtare”.

 

Ligji gjithashtu e përshkruan si konflikt interesi rastin kur zyrtari publik “është gjithashtu menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i bordit të ndërmarrjes private”, apo “ofron trajtim favorizues ose informacion konfidencial gjatë kontraktimit të shërbimeve për përfitime personale”.

Lexo edhe:  Rast i tmerrshëm në Prizren: Viktima gjendet në tokë pasi u ther me thikë, dërgohet në spital në gjendje të rëndë

Megjithë këtë shkelje flagrante të ligjit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, institucioni që ligjërisht është përgjegjës për të identifikuar, hetuar dhe ndëshkuar rastet e tilla, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. As hetim administrativ, as rekomandim për shkarkim, as ndonjë paralajmërim për konflikt të mundshëm interesi