Bëhen “llom” disa persona në Obiliq, një i ri dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK

Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Në shumë prej tyre përpos grushteve, përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, duke u rrezikuar kështu direkt jeta e personave të përfshirë.

Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Rasim Hashani’ në Obiliq, ku disa persona janë përfshirë në një rrahje brutale me njëri-tjetrin. Si pasojë një i mitur ka mbetur i plagosur rëndë nga therja me thikë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore së Mjekësisë Familjare në Obiliq kanë bërë me dije se të miturit i është ofruar ndihma e parë mjekësore, por për shkak të gjendjes së rëndë është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë dëshminë e një dëshmitari të rastit, i cili ka qenë prezent kur ka ndodhur ngjarja.

Sipas tij, të dyshuarit të cilët janë emra të njohur për organet e rendit, menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar me shpejtësi në drejtim të panjohur.

Pas veprimeve hetimore është arritur që të arrestohet njëri nga të miturit që dyshohet se u përfshi në sulmin ndaj viktimës dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar në praninë e prindit dhe avokatit të tij mbrojtës. Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që atij t’i caktohet masa e ndalimit policor.

Ndërkohë po vazhdojnë kërkimet edhe për të dyshuarit tjerë.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Tentativë e re për Trustin, Projektligji sot shqyrtohet në Komision