Bastisje masive në Prishtinë, sekuestrohen armë e substanca narkotike – arrestohen katër persona
Policia e Kosovës ka zbatuar një operacion të gjerë hetimor, duke arrestuar katër persona nën dyshimin për shkeljen e ligjit në lidhje me armët dhe substancat narkotike, raporton Gazeta Sinjali.
Sektori i Hetimeve i Departamentit të Kufirit, me mbështetje të njësive të tjera relevante, ka ekzekutuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në kuadër të hetimeve për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e pa autorizuar e armëve ose mjeteve plasëse”.
Operacioni ka përfshirë bastisjen e tetë lokacioneve në rajonin e Prishtinës, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë dhe substanca të dyshuara narkotike, duke përfshirë: Një pushkë automatike AK-47, 23 fishekë, dy magazine (karikator), një bajonetë, një thikë, 78 gram substancë narkotike e dyshuar dhe shtatë telefonë celularë dhe pajisje elektronike.
Pas intervistimit dhe procedurave të tjera ligjore, katër të dyshuarit, të gjithë meshkuj kosovarë, janë liruar përkohësisht në përputhje me urdhrin e prokurorit të rastit.