Bashkim Jashari pret në takim oficerët që përfunduan kursin “Ranger” në SHBA
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një takim oficerët që me sukses kanë përfunduar kursin elitar ushtarak “Ranger” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një njoftimi zyrtar, FSK ka bërë të ditur se ky është një tjetër hap i rëndësishëm në avancimin profesional të pjesëtarëve të saj në arenën ndërkombëtare.
“Që nga viti 2023, pjesëtarët tanë kanë shënuar arritje të konsiderueshme: fillimisht, Kapiten Ylli Dalladaku u bë oficeri i parë i FSK-së që e përfundoi me sukses këtë kurs. Në vitin 2024, të njëjtin sukses e arriti edhe Toger Egzon Elshani”, thuhet në komunikatë.
Ajo që e bën këtë vit edhe më të veçantë është arritja e Togeres Vesa Ibrahimi, e cila hyri në histori si oficerja e parë nga radhët e FSK-së që përfundon me sukses këtë trajnim të njohur për vështirësitë ekstreme.
“Veçanërisht domethënëse është arritja e këtij viti, ku Toger Vesa Ibrahimi bëhet oficerja e parë nga radhët e FSK-së që e përfundon këtë kurs, duke qenë njëkohësisht edhe një nga të paktat pjesëtare femra ndërkombëtare që kanë përfunduar me sukses një nga kurset më sfiduese të ushtrisë amerikane”, thuhet më tej në njoftim.
Komandanti Jashari i përgëzoi për arritjen, duke theksuar se ky sukses është dëshmi e përkushtimit dhe profesionalizmit të oficerëve të FSK-së në trajnimet ndërkombëtare.
“Ai theksoi rëndësinë e shpërndarjes së përvojës dhe aftësive të fituara me pjesëtarët tjerë të FSK-së, në funksion të forcimit të kapaciteteve të përgjithshme të forcës”, përfundon njoftimi i FSK-së.