Barrikadat në veri, Prokuroria Speciale kërkon urdhërarrest për Goran Rakiçin
Prokuroria Speciale e Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë urdhërarrest për ish-kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, pasi që dyshohet për rastin e barrikadave në vitin 2022, në Veri. Ndërsa, krerët aktualë të Listës Serbe janë intervistuar nga Prokuroria për këtë çështje.
Rakiç, i cili aktualisht është deputet i Partisë Progresive Serbe në Serbi, është ftuar për intervistim nga Prokuroria tri herë. Herën e parë nuk ka shkuar nën arsyetimin për “shkaqe shëndetësore”, ndërsa për dy herët e tjera nuk ka dhënë arsyetim. Përveç tij, urdhërarrest nga Prokuroria është kërkuar edhe për 11 persona të tjerë.
“Me qëllim të sigurimit të prezencës së G.R., Prokuroria Speciale e Kosovës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për lëshimin e urdhërarrestit ndaj tij”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, për mediumin Koha.
Për këtë rast janë intervistuar kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, dhe nënkryetarët: Igor Simiç dhe Slavko Simiç.
“Në kuadër të zhvillimit të këtyre hetimeve, PSRK i ka ndërmarrë dhe është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë intervistimin e të pandehurve në këtë rast penal. Tashmë ka përfunduar intervistimi edhe i të pandehurve S.S., I.S. dhe Z.E.”, ka njoftuar Prokuroria.