Bajram Qerkini: Kurti nuk e mbajti premtimin për të pagjeturit

Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, ka shprehur pakënaqësinë që personat e pagjetur përmenden vetëm një herë në Propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Qerkini thotë se kryeministri Albin Kurti nuk e ka mbajtur premtimin, i cili sipas tij para se të vinte në pushtet deklaronte se nuk do të dialogojë me Serbinë pa u zbardhur çështja e të pagjeturve.

“Atë që jemi duke kuptuar ne, është mëkat shumë i madh, është premtuar, është thënë se kaptina e parë, neni i parë, bisedimet e para do të bëhen për persona të pagjetur. ‘Pa u zbardhur fati i personave të pagjetur ngrihen të gjitha bisedat e tjera’. Ne si familjarë nuk jemi për t’u ngrirë dialogu, por jemi që të jetë një pikë e veçantë për persona të pagjetur dhe të jetë humane, se punët politike të cilat i kanë paraparë në këto 11 pika kanë me vazhduar me vite e vite, se janë punë politike. Këtë pjesë duhet që të jetë si është premtuar dhe si garanton me konventa ndërkombëtare mos të na shkelin të drejta e njeriut. Neve po na shkelin të drejtat e njeriut”, u shpreh Qerkini për EO.

Në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka 11 nene, personat e zhdukur përmenden vetëm në një vend.

Qerkini, i cili e ka ende të pagjetur djalin që nga lufta e vitit 1999, kërkon që termi i “zhdukur” të largohet.

“Është marre që të thuhet këtu ‘për postë’, për s’di çka, e në fund thotë edhe për persona të zhdukur. Ky term duhet të largohet se nuk janë të zhdukur, ata janë “të marrun peng’. Bashkësia ndërkombëtare na ka borxh që të tregojë ku i ka fsheh Serbia, sepse janë imazhet satelitore. Çka kam hjekë me e rrit, e mos me ditë qe plot 24 vite se ku është”, shprehet Qerkini

Lexo edhe:  Familja nga Gjilani në hall me të birin, i rrah dhe i kërcënon prindërit për para