Babë e bir kapen me policët dhe i kërcënojnë me vrasje brenda stacionit policor në Prishtinë

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës.

Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Një rast i tillë ka ndodhur brenda stacionit policor ‘Jugu’ në Prishtinë, ku dy persona kanë kërcënuar zyrtarët policorë.

Sinjali mëson se dy të dyshuarit, babë e bir, janë futur me sherr teksa Policia po e trajtonte një rast ku djali i të dyshuarit kryesor ishte i përfshirë.

Situata në stacion dyshohet se u tensionua dhe nisën ofendimet ndaj Policisë, që eskaluan edhe në kërcënime me vrasje.

Për ta vënë situatën nën kontroll, dy të dyshuarit janë prangosur.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, babë e bir janë dërguar në mbajtje për 48 orë për veprën penale “Kanosje ndaj personit zyrtar”.

Lexo edhe:  E goditi me thikë në gjoks babanë për shkak të një telefonate, paraburgim ndaj 32-vjeçares