Babai në Leposaviq e kërcënon me thikë e më pas sulmon me sëpatë djalin e tij të mitur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Leshak të Leposaviqit, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar me sëpatë djalin e tij të mitur.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në banesën ku jetojnë, ku i dyshuari një natë më parë e kishte sharë e ofenduar 16-vjeçarin si dhe e kishte kërcënuar me thikë, ndërsa të nesërmen dyshohet se e ka sulmuar atë me sëpatë.

I mituri ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer se ka arritur që të shpëtojë, pasi e ka penguar babain me dorën e tij, duke mos e lejuar që ta godas me sëpatë. Sipas tij, nuk është hera e parë që ai keqtrajtohet nga babai i tij dhe për këtë arsye shprehet se nuk ndihet i sigurt për të jetuar me të.

Njësitet policore menjëherë janë vënë në lëvizje, me ç’rast kanë arrestuar 41-vjeçarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’ dhe dërgohet në mbajtje për 48 orë.

Lexo edhe:  Mësimdhënësit i marrin mjetet që u takojnë nga kontrata kolektive, komunat dëmtohen deri në 70 milionë euro