Babai në Fushë Kosovë e dërgon në strehimore vajzën me nevoja të veçanta: Merruni me të, s’kujdesem më

Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta të dhunës në familjet kosovare.

Ato përballen me dhunë fizike e psikike qoftë nga bashkëshortët, baballarët apo edhe anëtarët e tjerë të familjes. Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë po dyshohet se ka ndodhur të enjten në Fushë Kosovë.

Ajo që e bën këtë rast edhe më të trishtë është se viktima është një 33-vjeçare me nevoja të veçanta, ndërsa i dyshuar është babai i saj.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se mëngjesin e djeshëm, i dyshuari e ka dërguar të bijën në Qendrën për Punë Sociale, duke hequr dorë nga kujdesi ndaj saj.

Siç mëson Sinjali, babai i dyshuar gjatë komunikimit që ka pasur me zyrtarët e strehimores ka thënë se ka vendosur që të mos përkujdeset për vajzën, duke iu thënë “merruni ju me të”.

Rasti është denoncuar në Polici dhe si rezultat i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë lidhur me rastin, ndërsa viktima është dërguar te familjarët e saj.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Nesër seancë e jashtëzakonshme, diskutohet për propozim-rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës