Austria dërgon 190 ushtarë në misionin e KFOR-it në Kosovë, zbarkojnë këtë muaj

Ministrja e Mbrojtjes e Austrisë, Claudia Tanner, ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji në misionin e KFOR-it do të dërgohet kontingjenti i 50-të i ushtarëve austriakë.

Në këtë kontigjent do  të shërbejnë 190 ushtarë.

Bernhard Gruber do të jetë komandant i kontingjentit të ri që do të drejtojë rreth 190 ushtarë, transmeton gazeta online Reporteri.net.

“Austria është e përkushtuar të marrë pjesë në mënyrë aktive në tejkalimin e krizave dhe sigurimin e paqes përmes operacioneve ndërkombëtare të paqes në mënyrë që të përballet me sfidat e reja të shekullit të 21-të. Zgjidhja e problemeve aktuale të sigurisë kërkon bashkëpunim të ngushtë në nivel evropian dhe ndërkombëtar. Përveç kësaj, duke pasur parasysh përgjegjësinë parësore për mbrojtjen ushtarake kombëtare, pjesëmarrja në operacionet e paqes ndërkombëtare është prioritet i lartë për Ushtrinë Federale. Ushtarët austriakë gjithmonë e kanë dëshmuar veten si partnerë të besueshëm në Kosovë dhe jam e lumtur që ky kurs po vazhdon me rotacionin e kontingjentit të 50-të.”, tha ministrja e Mbrojtjes, Klaudia Tanner.

Ushtria Federale Austriake është përfshirë në Kosovë që nga 2 korriku 1999. Baza për këtë është mandati i Rezolutës 1244 të OKB-së nga viti 1999 dhe vendimi i Qeverisë Federale. Vendosja e paqeruajtësve në Kosovë udhëhiqet nga NATO.

Pas sulmit terrorist në veri më 24 shtator, NATO ka dërguar trupa shtesë në Kosovë, duke katërfishuar praninë në veriun e Kosovës. Gjithashtu janë rritur edhe patrullimet përgjatë vijës kufitare.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan.

Lexo edhe:  “Rrëshqiti në tualet”, vdes aksidentalisht vogëlushi kosovar

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.