Arrihet pajtimi, kosovarëve u hiqen vizat më 2024

Përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se pajtimi u arrit në një takim të këshilltarëve për viza të martën në Bruksel.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

Paraprakisht, Republika Çeke, e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së, kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023.

Por, ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat, që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë.

Sot Grupi Punues për Vizat u mblodh dhe pikë diskutimi patën çështjen e liberalizimit të vizave të Kosovës. Kjo është hera e tretë që këtë muaj ky Grup Punues diskuton për vizat e Kosovës.

Lexo edhe:  Plagoset një polic nga të shtënat me armë gjatë grabitjes në Suharekë