Arrestohet polici bashkë me vëllain e tij
Sot u raportua se Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar zyrtarin policor, Kushtrim Piraj, në Dragash, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në një konflikt bashkë me 3 qytetarë, të cilët e kanë sulmuar një person tjetër brenda stacionit policor. Katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, teksa për “menaxhim të dobët të rastit” janë suspenduar dy eprorë.
Në mesin e të arrestuarve, Sinjali mëson se është edhe Shpëtim Piraj, vëllai i policit Kushtrim Piraj, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë Leotrim Qengaj dhe Florim Qengaj.
FOTO: Kushtrim dhe Shpëtim Piraj
Katër të dyshuarit, përfshirë zyrtarin policor po hetohen për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Dëmtim prone”.
Incidenti ka ndodhur në ambientet e Stacionit Policor Dragash, ku ishte ishte shoqëruar një person i dyshuar. Zyrtarët policorë dhe i dyshuari janë sulmuar nga disa persona, në mesin e të cilëve edhe Piraj me tre të dyshuarit e tjerë.
Rastin e ka konfirmuar IPK dhe ka njoftuar se “për menaxhim të dobët të rastit dhe dështim në ofrimin e sigurisë së të dyshuarit,” janë suspenduar një Toger Policor-Shefi i Hetimeve të Stacionit dhe një Rreshter Policor-Shef i ndërrimit.