Arrestohet një avokat në Prishtinë, dyshohet se legalizoi dokumente të falsifikuara duke shkaktuar dëm disa milionësh

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka arrestuar dy të dyshuar për veprat penale, Falsifikim i dokumentit, Legalizim i përmbajtjes së rreme dhe Mashtrim.

Sipas komunikatës së Prokurorisë njëri nga të arrestuarit, V.H është avokat.

Ai dhe i arrestuari tjetër D.I, dyshohen se me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore kanë falsifikuar dokumentin, kanë legalizuar dokumente të falsifikuara dhe kanë mashtruar persona të ndryshëm duke shkaktuar dëm disa milionësh.

Komunikata e plotë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë/Departamenti për Krime të Rënda/Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit njofton opinionin publik se në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të saj në luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik në bashkërendim me

Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion /NJHFPD në Prishtinë, sipas urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, ka realizuar një aksion në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku ky aksion është zhvilluar pas hetimeve disa mujore me dyshimin se persona të dyshuar kanë kryer veprat penale të falsifikimit të dokumentit, legalizimi i përmbajtjes së rreme dhe veprës penale të mashtrimit.

Në këtë operacion janë arrestuar dy persona të dyshuar të gjinisë mashkullore (V.H dhe D.I) dhe është sekuestruar dokumentacion që ndërlidhet me veprën penale.

Me vendim të prokurorit dy personat janë ndaluar për shkak të veprave penale “Falsifikim i Dokumentit” nga neni 390, veprës penale “Legalizimi i Përmbajtjes së Rreme” nga neni 395 dhe veprës penale “Mashtrim” nga 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I dyshuari kryesor në këtë rast V.H – Avokat dhe i dyshuari D.I – Instruktor dyshohen se me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore kanë falsifikuar dokumentin, kanë legalizuar dokumente të falsifikuara dhe kanë mashtruar persona të ndryshëm duke shkaktuar dëm disa milionësh.

Lexo edhe:  Gruaja në Vushtrri denoncon burrin dhe vjehrrin për dhunë fizike e psikike, intervenon Policia

Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afateve ligjore, Prokurori i Shtetit do të ndërmerr veprimet e nevojshme procedurale në grumbullimin e provave.

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit dhe se do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave, si dhe dërgimin para gjykatës të secilit kryes të këtyre veprave penale