Arrestohet i dënuari me burgim për aksidentin ku e goditi për vdekje të riun në Drenas, dërgohet në burg
Shoferi i dënuar për aksidentin me fatalitet në fshatin Arllat të Drenasit, në shkurt të vitit të kaluar, është kapur sot nga Policia e Kosovës, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata. 58-vjeçari ka qenë në listën e personave të kërkuar për shkak të dënimit me burgim.
Siç merr vesh Sinjali, Xhemajl Kelmendi është arrestuar sot në shtëpinë e tij në Fushë Kosovë, gjatë aksionit të Policisë për ndalimin e personave që po kërkohen nga Gjykatat.
Kelmendi është shpallur fajtor për aksidentin ku e goditi për vdekje me veturë 19-vjeçarin Eduard Bujupi dhe është dënuar me më shumë se 2 vjet burgim.
Dënimin me burgim nuk e ka vuajtur derisa Policia e ndaloi dhe pas përfundimit të procedurave policore, i njëjti u dërgua në njërën nga qendra korrektuese në vend.
Kujtojmë se aksidenti ndodhi më 14 shkurt të vitit të kaluar dhe fatkeqësisht i riu nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe vdiq në spital.