Arrestohet Fatmir Sheholli nën dyshimin për spiunazh

Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe prokurorinë, ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshime të bazuara për përfshirje në veprimtari spiunazhi.

Lidhur me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se pret trajtim institucional me seriozitet të lartë, pasi rasti përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Sveçla ka theksuar se individë të tillë, të cilët kanë pasur hapësira të gjera mediatike, kanë bashkëpunuar me akterë që punojnë për të minuar Republikën e Kosovës dhe progresin e saj.

Ministri ka përsëritur përkushtimin e institucioneve për të mbrojtur vendin nga çdo rrezik dhe për të ndalur çdo veprim që cënon sigurinë kombëtare, duke theksuar se “koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar”.

Sipas tij, kushdo që punon për Serbinë dhe kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis dhe në mënyrë të pandalshme, ndërsa mbrojtja e Republikës së Kosovës mbetet përgjegjësi e lartë institucionale dhe morale.

Lexo edhe:  Policia finlandeze e konfirmon se njëra nga nxënëset e plagosura dje është nga Kosova, ka plagë të rënda