Arrestohet edhe i dyshuari i dytë për tentim vrasjen në Nadakovc të Vushtrrisë

Policia ka vënë në pranga të dy personat e dyshuar për tentim vrasjen e ndodhur më 13 shtator 2025, në fshatin Nadakovc – Vushtrri, ku pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme u shtie me armë drejt një të riu.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se të dyshuarit Gazmend Merovci dhe Granit Merovci kishin ndjekur me veturë viktimën Arben Haradinaj.

Gjatë ndjekjes, njëri prej tyre, në rolin e pasagjerit, shtiu me armë drejt automjetit të Haradinajt, duke e goditur katër herë. Fatmirësisht, viktima nuk ka pësuar lëndime, ndërsa në vendin e ngjarjes policia gjeti tri gëzhoja.

Fillimisht, më 14 shtator 2025 rreth orës 19:40, u arrestua Granit Merovci, i cili ndodhej në shtëpi në momentin e kërkimit të policisë. Ai u intervistua në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit u dërgua në mbajtje për 48 orë.

Ndërkohë, më 15 shtator 2025 rreth orës 09:00, edhe Gazmend Merovci u vetëdorëzua në polici. Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, ai u ndalua për 48 orë dhe është dërguar në mbajtje.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Lexo edhe:  Në Maqedoni fillon ndërtimi i fabrikës nga Turqia që do punësojë mbi 200 persona