Arrestohet bosi i lojërave të fatit në Kosovë – zbulohen lokalet që i menaxhonte për veprimtari kriminale

Ligji nuk ka arritur t’i ndalë lojërat e fatit në Kosovë. Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon grupet e ndryshme kriminale. Një aksion për kapjen e tyre u zhvillua para dy muajsh, por Policia s’arriti ta kap bosin e lojërave të fatit, Arben Nezirajn, i njohur si Arben Qorri”.

Sinjali ka raportuar se “Qorri” tashmë ka rënë në prangat e Policisë dhe është zbuluar grupi me të cilin vepronte kundërligjshëm.

Neziraj, i cili është i njohur për organet e rendit, për shkak të historisë së tij kriminale, të mbushur me vepra të ndryshme penale, ka qenë në kërkim që nga muaji prill, kur Policia dhe Prokuroria Speciale realizuan një operacion policor, që rezultoi me 10 të arrestuar.

Arben Qorri, i cili edhe më parë është përballur me akuza për organizim të lojërave të fatit, tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, pasi dyshohet se  ka qenë i përfshirë në veprat penale ‘krim i organizuar’, ‘organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.

Grupi të cilin e udhëhiqte bosi i lojërave të fatit, dyshohet se në bashkëveprim me njëri-tjetrin kanë kryer veprat penale për një periudhë të gjatë kohore.

Janë mësuar detajet se si grupi i Qorrit organizonte lojëra të fatit në disa lokale në Prishtinë e Fushë Kosovë, përmes platformës të cilën e drejtonte “verona.club”.

Në bazë të hetimeve të zhvilluara nga ana e Prokurorisë ka rezultuar se për veprimtarinë e kundërligjshme, Qorri ka bashkëpunuar edhe me persona të tjerë, si E.Dedinca, i cili ka ndihmuar që të zhvillohet kjo veprimtari në lokalet ‘Caffe Bar B13” në rrugën “Shefki Kuleta” dhe po e njëjta kafene, numër 2, në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë Kosovë, raporton Sinjali.

Lexo edhe:  Pushuesja nga Kosova në gjendje të rëndë, për pak u mbyt në Shëngjin

Edhe një lokal tjetër, me të njëjtin emër, ka zhvilluar veprimtari të tillë, në rrugën “Hilmi Rakovica” në Prishtinë, e të cilin e ka menaxhuar L.Zeneli, po i cili është udhëhequr nga vet Arben Qorri.  Por pas një kohe, pajisjet nga ky lokal janë dërguar në një objekt ku ndodhet ‘Rent a Car Ali’, po ashtu pronë e Nezirajt.

Veprimtaria  e kundërligjshme është kryer edhe në bashkëpunim me persona të tjerë, si menaxherë e punëtorë të këtyre lokaleve, të cilët kanë mundësuar shpërndarjen dhe pranimin e parave nga personat që luanin lojëra të tilla.

Gjithë ky grup kriminal është drejtuar nga vet bosi i lojërave të fatit, Arben Neziraj. Të gjithë personat që kanë punuar me faqen e tij, në rolin e menaxherit, janë paguar me përqindje deri në 25%, stimulim ky që ta rris më shumë klanin me të cilin ka vepruar jashtëligjshëm.

Operacioni policor i zhvilluar në muajin prill

Policia e Kosovës me autorizim të Prokurorit të Shtetit dhe në mbështetje të njësive të specializuara policore ka realizuar një operacion policor në Prishtinë e Pejë për arrestimin e personave të dyshuar të cilët kanë qenë të përfshirë në veprat penale ‘krim i organizuar’, ‘organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

“Gjatë operacionit janë kontrolluar dymbëdhjetë (12) lokacione (vendbanime dhe lokale), janë ndaluar dhjetë (10) persona me aktvendim mbi ndalimin si dhe janë intervistuar edhe pesëmbëdhjetë (15) persona të tjerë në cilësinë e të dyshuarve të cilët lirohen në procedurë të rregullt, të njëjtit janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave të bixhozit online.”

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: 4,423 euro para të gatshme, 2 aparate të lojërave të fatit, 25 telefona mobilë, 2 laptop, 2 DVR si dhe materiale/dokumente relevante për rastin.

Lexo edhe:  Nën kërcënimin e thikës, hajnat ia grabisin rreth 100 euro shoferit të “Roberti Taxi” në Vranjevc

Arben Qorri ka qenë i përfshirë edhe në rastin ‘APEX’

Rasti i njohur si “APEX” është njëri ndër rastet më të përfolur që ndiqej nga EULEX, e kjo për faktin se të përfolur për lidhje me të akuzuarit e këtij rasti kanë qenë edhe figura politike.

Vëllezërit Arben dhe Astrit Krasniqi kanë qenë të akuzuarit kryesor të këtij rasti, teksa të përfshirë kanë qenë edhe Arben Neziraj (Qorri), Avni Morina, Mujë Berisha, Gani Zekiraj, Kushtrim Hakaj, Agron Hoxha, Ilir Morina e Arsim Molliqaj.

Arben dhe Astrit Krasniqi akuzoheshin se si pronarë të lojërave të fatit “APEX”, kanë themeluar grup kriminal qëllimi i të cilit ishte përdorimi i forcës dhe kërcënimit për t’i detyruar kazinotë e tjera që të mbyllen, t’i largojnë makinat të caktuara të lojërave të fatit, ose të vazhdojnë të veprojnë sipas kushteve të cilat ishin të pafavorshme për ta.

Lojërat e fatit po sfidojnë shtetin

Ligji për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet, ka hyrë në fuqi në muajin maj të vitit 2019.

Ky ligj ishte propozuar nga Qeveria e Kosovës, kurse u miratua në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me 28 mars të atij viti.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit është marrë, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, u vranë dy persona.